Demokratizimi i Shqipërisë duhet të filloj nga demokratizimi i partive politike

Demokratizimi i Shqipërisë duhet të filloj nga demokratizimi i partive politike

Dy fakte nga bota politike perëndimore:

Në janar të vitit të kaluar (2006) u zhvilluan zgjedhjet legjislative në Kanada dhe partia liberale, një nga katër partitë më të suksesshme në botë (André Blais 2005), humbi zgjedhjet me një diference të vogël votash nga partia fituese dhe krytari i saj, një nga figurat më të suksessme të politikës kanadeze dha dorëheqjen. Pol Martin, kryetari në fjalë, e kishte fituar postin e shefit pa ndonjë vështirësi apo surprizë. Duke qenë se ishte politikan i suksesshëm (por i pafat; me të marr në dorë postin e kryeministrit atij iu desh ti bëjë ball një skandali sponsorizimesh të shpërdoruara nga partia e tij…) ai shumë mirë mund ta mbante postin e kryetarit por… Në perëndim “dënohesh” dhe duke qenë i suksesshëm. Menjëherë pas dorëheqjes së tij, partia liberale shpalli fushatën për zgjedhjen e shefit të ri dhe nuk e zgjodhën pas një jave apo dy por plot pas nëntë muajsh. Në kongresin që u mbajt në Montreal në fillim të dhjetorit(gjithëmonë 2006), tetë kandidat konkuruan për postin e shefit (kryetarit) të partisë. Ndër ta, dy kandidat udhëhoqën fushatën duke qenë shumë përpara të tjerëve nëpër sondazhe por dhe arritën të kishin më shumë delegatë në kongres. Duke qenë se një nga kandidatët ishte ish-profesor i shkencave politike në universitetin e Montrealit dhe i vetmi kandidat nga provinca e Kebekut, kurioziteti më shtynte të shikoja motivet që e shtyjnë një kandidat për të luftuar pë një vend nderi kur dukshëm nuk ka shpresa për të firuar. Pikërisht këtu qëndron bukuria e lojës demokratike.Në fazën e parë të votimit, delegatët duhet të respektonin mandatin e tyre dhe të votonin kandidatin për të cilin ishin zgjedhur. Dhe pikërisht rezultatet dhanë atë që dhe sondazhet kishin parashikuar:dy kandidatët e parë morën 29 % dhe 27% ndërsa profesori “ynë” doli i treti me 17% por vetëm me katër vota më shumë nga vendi i katërt. Këtu fillonte puna e vërtetë e kandidatëve për të bindur delegatët të votonin për ta dhe delegatët tash mund të votonin për atë që u donte “zemra”. Dhe ajo që ndodhi nuk pritej (të paktën asnjë analist nuk e kishte parashikuar…). Shef i partisë u zgjodh Stephane Dion, ish-profesor në universitetin e Montrealit dhe ish ministër në kabinetin e kryeministrave Kretien e Martin. Një kandidat që kishte mbështetur zotin Injacief, kandidatin kryesor u shpreh se kishte punuar me muaj e muaj të tërë që kandidati që ai mbështeste të fitonte por …kjo është demokracia.

Në vitin 2004, kur partia democrate në Amerikë shpalli fushatën për kandidatin që do të përballej me Xhorxh Bush shumë pak parashikonin Xhon Kerrin si fitues të kampit demokrat. Të paktën këtu në Kebek e Kanada, i bëhej jehon ish guvernatorit të Vermontit Howard Dean por dhe gjenerali Wesley Clark. Sidoqoftë sot të gjithë e dinë se si Kerry mori hov që nga fillimi dhe i sfidoi gjithë të tjerët . Dhe ai fitoi të drejtën të sfidoi Bushin ndonëse pa sukses. Sidoqoftë dhe në këtë rast kjo është democracia.

Emëruesi i përbashkët i këtyre dy ngjarjeve është përballja e kandidatëve të së njëjtës parti jo vetëm ditën e zgjedhjes përgjat një kongresi por përgjatë një fushate që zgjat me muaj e me muaj ku kandidatët kanë mundësi të tregojnë aftësitë e tyre drejtuese dhe pse jo të shpallin një program që përqafohet nga votuesit. Duhet theksuar se zgjedhja e një lideri partiak është tejet e mediatizuar dhe ndiqet me interes nga të gjithë.

Partitë politike shqiptare dhe demokracia e brendëshme e tyre

Pak histori: Askush në Shqipëri nuk ka bërë një studim të plotë për partitë politike dhe aq më pak për procesin e tranzicionit në Shqipëri. Ndoshta duhet folur njëherë tjetër por vetëm për të saktësuar se pavarësisht nga pretendimet e ish -shefit komunist Ramiz Alia se gjoja ai nuk ishte për pluralizëm politik dhe se dhjetori i 1990 i gjeti të pa-përgatitur, e kundërta duhet të ketë ndodhur. Nëse duhet të ketë një shprehje që i përshtatet tranzicionit në Shqipëri, ai mund të quhet tranzicion i kontrolluar. Tranzicioni është i kontrolluar në rastet kur partia unike në pushtet krijon kushtet për të kontrolluar faza të caktuara të “demokratizimit” të vendit. Në kushtet e tranzicionit politik nga një sistem një partiak në një sistem shumëpartiak, ish partia moniste dhe elita e saj e para gjë që bëjnë është të sigurojnë që kundërshtarët e tyre politik nuk kërkojnë kokat e tyre dhe bile nëse opozita është agresive ata dhe mund të tërhiqen apo vonojnë tranzicionin. Në Shqipëri kurr nuk ka patur opozitë. Ajo duhej krijuar. Dhe nëse opozita në Shqipëri u krijua apo e krijuan, pra cili ishte roli i partisë në pushtet mund të duket në faktin që opozita shqiptare dhe kur u bë pozitë kurr nuk e rrezikoi ish partinë në pushtet. Kjo nuk zbeh aspak rolin e rinisë studentore në dhjetorin e vitit 1990. Nëse do të kishte studime për fazën tranzitore në Shqipëri do të ishte interesante të dinim përgjigjen e sakt të këtyre pyetjeve:

· Sa ka ndikuar presioni i jashtëm ndaj udhëheqësve komunist shqiptarë?

· Sa ka ndikuar keqësimi i gjendjes ekonomike në Shqipëri për të “pranuar” ndryshimin.

· Sa ka influencuar levizjet e brendëshme (pakënaqëia) në marrjen e vendimit për të pranuar pluralizmin në Shqipëri.

· Sa ka ndikuar përvoja e të tjerëve sidomos Perestrojka sovjetike?

Sido që të jetë përgjigja, përvoja politike e Shqipërisë na mëson se partitë politike në Shqipëri pak ndryshojnë nga njëra-tjetra. Nuk flasim për programet ( por dhe këtu është vështirë të bësh dallime…) por për organizimin dhe democracinë që ato reflektojnë. Po të shikosh statistikat e partive politike shqiptare e ke vështirë të shikosh një listë kryetarësh. Në pjesën më të madhe partitë politike kanë po ata shefa që kishin në vitin 1991. Vetëm Partia Republikane ndryshoi kryetarin që sidoqoftë mbetet kryetari i nderit i partisë. Në kampin socialist, Nano u tërhoq pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005. Socialistët nuk e lanë të ftohet karrigen e shefit por e zvendësuan me atë që mund të quhet më i forti i tyre, Edi Rama. Dallimet nuk janë të mëdha as nga e majta as nga e djathta shqiptare. Mungesa e një demokracie të brendëshme bënë që përplasjet e ideve të mos amortizohen (zbuten) dhe çojnë në krijimin e partive të reja. Nuk ka nevojë ta përmendim por ndonëse shqiptarët nuk kanë dëshirë të kenë fëmijë si njëherë e një kohë, partitë politike përkundrazi u pëlqenë të shumëfishohen. Vetëm nga dy partitë kryesore (PS e PD) kemi trashëguar 6-7 parti politike.

Të kujt janë partitë politike në Shqipëri ?

Në një vend si Shqipëria gjithçka është e mundur gjer dhe privatizimi i partive politike. Partitë politike duhet të jenë institucioni i vetëm i formimit të politikave, mjeti më i mirë që duhet të siguroj dy elementet jetike të demokracisë: pjesëmarrjen dhe konkurrencën. Nëse për pjesëmarrjen nuk mund të themi gjë sepse ajo është një tipar edhe i regjimeve totalitare (psh në regjimin e Enver Hoxhës shqiptarët merrnin pjesë në votime 99.99 %…) por konkurrenca në Shqipëri është shumë afër zeros. Politika shqiptare është klanike ose e nipotizuar gjë që frenon demokracinë dhe nxit korrupsionin. Sot partitë politike shqiptare mund të themi se janë pronë e një grupi njerëzish që edhe pse nuk e pranojnë kanë gjithçka në dotrë për sa i përket partive politike. Organizmi i partive dhe mungesa e demokracisë së brendëshme nuk lenë vend për opozicion të brendësh. Kudo në botë në demokracitë e zhvilluara shefi i partisë ka një rolë të jashtëzakonshëm në suksesin apo mossuksesin e partisë që ai drejton. Por në Shqipëri shefi është njëshi i ngjashëm me shefin e partisë unike. Dhe ushtarët partiak kan veç dy rrugë : ose bindje ose ta mbyllin portën nga jashtë. Një kohë që partitë politike në Shqipëri mund të ishin një instrument elektoral dhe të zhveshura nga ideologjitë, ato në fakt janë të mbarsura me ndarje ideologjike që i mbyllin portat elektoratit sidomos atij të pavarur. Sa mirë do të ishte që një qytetar i thjeshtë të ndihej pjesë e PS dhe e PD duke patur mundësi të zgjidhte mes kandidatëve apo mes ideve partiake atë që do ti dukej më afër mendimeve dhe bindjeve të veta politike.

E pastaj ?

Në fillim të vitit 1991 Partia e Punës (Komuniste) e ndjeu që po humbiste terren dhe nxori teorin e rinovimit. Ngado dëgjohej veç një refren: ne jemi të rinovuar, ne kemi të drejtën të rinovohemi… (Kam dëgjuar një të moshuar që donte të mbushte mendjen në atë epokë që ai ishte i rinovuar por ma tha shtrembër …që në fakt duhet të ishte drejtë…më tha: – “Unë jam i rivonuar”…). Rinovimi nuk është i keq në vetvehte. Problemi është se kush e korrigjon një të rinovuar (rivonuar…). E dyta. Mendoni se duhet të blini një makinë. Mes një makine të përdoruar dhe një të reje çafarë do të zgjidhnit ? Me një të vjetër (të rinovuar) do ngeleni në garazh, do ngeleni në rrugë, do ngeleni pa drita, do …thyeni qafën (qoftë larg !) Ndërsa një makinë re kërkon një çmim. Çmimi më i madh është ndërrimi i mentalitatit (hedhja poshtë e së vjetrës).

Shqipëria ka nevojë….

Në fund të vitit 2006 shkova në Toronto për të festuar Krishtlindjen. Aty takova një mik me të cilin shkëmbenim shpesh mendime nëpërmjet teknologjisë sotme pra online… Më ngeli në mendje një shprehje që më tha: “Ne shqiptarët jemi me mijëra vjetë mbrapa botës së qytetëruar” Jo se unë nuk e kam menduar një gjëtë tillë por një konstatim i tillë shtron pyetjen, nga duhet nisur që dhe ne shqiptarët të ndryshojmë dhe të reduktojmë hendekun që na ndan me të tjerët? Dihet që nuk është e thjeshtë. Por njerëzit mendojnë që difekti është vetë demokracia. Dhe nëse do ta shikojmë me vëmendje ata nuk janë larg një të vërtete sepse kjo është demokracia që ne kemi sot në Shqipëri. Shqipëria ka nevojë për shumë gjëra. Shqipëria nuk ka drita (jemi në vitin 2007) Shqipëria nuk ka ujë ( jemi në vitin…) Shqipëria nuk ka … Në një vend që ka një demokraci të zhvilluar ku t’i jepet mundësi zhvillimi mendimit të lirë dhe konkurrencës së ndershme jam i bindur se gjenden zgjidhje dhe për dritat dhe për ujin dhe për shumë gjëra të tjera. Shqipëria duhet të gjej njerëzit që kanë aftësi të vërteta manaxheriale (drejtuese…) Zgjidhja e vetme për Shqipërinë është një demikratizim i vërtet. Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi. Demokratizimi i partive politike do të ishte hapi i parë. Të tjerat vijnë më pas.

Ajet Nuro

Student në ekonomi dhe politikë

Universiteti i Montrealit, Kanada

Montreal, dhjetor 2006 – janar 2007

Continua a leggere

Pubblicato in Senza categoria