RASTI I KOSOVËS, UNIVERSAL APO SUI GENERIS.

Dilemë e re për një sfidë të vjetër.

Dr. Islam Lauka*

Në prag të mbledhjes së Grupit të Kontaktit me 31.01.2006, në Londër, presidenti rus, Vladimir Putin, i dha “instruksione të qarta” Ministrit të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, lidhur me qëndrimin e Moskës për çështjen e Kosovës, duke theksuar që përcaktimi i statusit përfundimatar të saj duhet të ketë karakter universal. “Për hapsirën postsovjetike kjo është shumë e rëndësishme, sepse këtu ende nuk janë zgjidhur të gjitha konfliktet. Ne nuk mund të zbatojmë disa parime për një rast dhe disa të tjera për një rast tjetër”, ı e porositi ai shefin e diplomacisë ruse.

Në fund të mbledhjes së Grupit të Kontaktit, Ministri Lavrov do të shprehej që, gjatë punës përgatitore, disa nga partnerët e tij u përpoqën të fiksojnë në dokumentin përfundimar të mbledhjes tezën që” Kosova është rast unik dhe nuk do të krijojë precedent. Ne me këtë nuk ramë dakort dhe, si përfundim, një qëndrim të tillë dokumenti i miratuar nuk e përmban”. ²

Tezës së zbatimit të parimeve universale në gjetjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe mundësisë së shfrytëzimit të saj si precedent për rregullimin e konflikteve të tjera, politika dhe diplomacia ruse i është kthyer e rikthyer, më se një herë, gjatë vitit 2006. Vetë kreu i shtetit, V. Putin i është referuar disa herë kësaj teze, duke i mëshuar kryesisht aspektit politik të saj dhe ndikimit në zonën e ” interesave jetike” ruse.

Në një takim me ambasadorët rusë, në Moskë, me 27.06.2006, midis parimeve që, sipas tij, duhen mbajtur parasysh për zgjidhjen e krizave, veç universalitetit, ai theksoi domosdoshmërinë e respektimit të interesave të të gjitha palëve të përfshira në konflikt, duke sjellë si shembuj konfliktet në Zakaukaz, Transdnistria, Kosovë, Qipro.³ Tre muaj më vonë, në një intervistë të tij, në Financial Times, Putin nënvizoi se ” nuk mund të zbatohet një paketë rregullash për Kosovën dhe një tjetër për raste të tjera. Çfarë ndryshimi ka situata në Kosovë nga ajo në Abhazi, Oseti?” Dhe përgjigjen e jep po vetë, ” Asnjë ndryshim!”

Akoma më shpesh i është referuar kësaj çështjeje, Ministri i Jashtëm rus, S. Lavrov. Në mbledhjen e Grupit të Kontaktit, në Nju Jork, me 20.09.2006, ai do të shprehej se rasti i Kosovës do të kishte natyrën e precedentit për Ballkanin dhe Europën në tërësi. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë për këtë mbledhje, u theksua se çdo spekulim mbi unikalitetin e rastit të Kosovës nuk është, asgjë tjetër, veçse një orvatje 6 për të shmangur të drejtën ndërkombëtare dhe për të përdorur standarte të dyfishta për zgjidhjen e krizave në rajone të ndryshme. Duke zhvilluar më tej këtë ide, me 03.10.2006, Lavrov do të deklarojë: “Kur flasim për precedent, ne përpiqemi të tërheqim vëmendjen se sa e rrezikshme është “kutia e Pandorës” që duan të hapin ata që, në rastin e Kosovës, janë gati të injorojnë qëndrimin e njërës pale, kurse për raste të tjera mbajnë qëndrim të kundërt. Kjo ka të bëjë edhe me standartet e dyfishta, natyrisht, por shqetësimi kryesor është fakti që ata që synojnë ta imponojnë statusin e Kosovës nuk shikojnë përtej hundës së tyre.” Dhe po aty bën thirrje për një “vizion global dhe përqasje strategjike” ndaj situatave që zhvillohen aktualisht në botë, gjë që, sipas tij, do të bënte të mundur edhe parashikimin e pasojave.

Zëvendësit e tij, V. Titov dhe G. Karasin, herë pas here, në prononcimet e tyre, kanë vënë në dukje rrezikun e projektimit të “precedentit Kosovë” në situatat e konflikteve të tjera “të ngrira”, duke u përpjekur të argumentojnë se ” nuk mund të refuzohet e drejta e disave për të vepruar, ashtu siç u lejohet të veprojnë disa të tjerëve”. 9

Deklarimet e zyrtarëve të lartë rus gjetën jehonë të gjerë në elitën politike ushtarake, intelektuale dhe, në përgjithësi, në opinionin rus, duke e trajtuar “precedentin e Kosovës” në rrafshin akademik, por kryesisht në atë politik. Zëvendëskryetari i Dumës së Shtetit, lideri i Partisë Liberal- Demokratike, V. Zhirinovski, shprehu bindjen se, pas Kosovës, të gjitha territoret që, deri tani, nuk janë njohur Nagorni Karabah, Abhazi, Oseti e Jugut, Transdnistria, do ta fitojnë menjëherë njohjen ndërkombëtare. 10

Për Kryetarin e Këshillit të Politikës së Jashtme dhe të Mbrojtjes, Sergej Karaganov, pavarësia e Kosovës do të justifikonte kërkesën e Osetisë së Jugut, Abhazisë dhe Transdnistrias për tu bashkuar me Federatën Ruse.11

Drejtoresha e Qendrës për Studimet Ballkanike, Elena Guskova, rrezikun e “precedentit Kosovë ” e shikon jo në hapsirën postsovjetike, por më shumë, në Ballkan, në Maqedoni dhe në Vojvodinë. 12

Në mënyrë që të tingëllojë sa më aktual rreziku i “nëpërkëmbjes” së parimeve universale në zgjidhjen e çështjes së Kosovës tentohet që “precedenti Kosovë” të lidhet drejtpërdrejtë me konseguencat eventuale që ai do të sillte për nxitjen e terrorizmit, duke i vënë në raporte shkak- pasojë. Për Bashkëkryetarin e Këshillit të Strategjisë Kombëtare, Josif Diskin, ” …heqja dorë nga universalizmi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të thotë prodhim i një vale të re të terrorizmit dhe të zgjidhjes më vonë të konfliktit dhe, për pasojë, rrëshqitje drejt kaosit”. 13

Motivi i “precedentit Kosovë” dhe rreziku i hapjes së ” kutisë së Pandorës” do të përqafoheshin fort, për tu çuar deri në absurd, nga politika dhe diplomacia serbe. Sipas presidentit serb, Boris Tadic, “Kosova nuk është rast unik.” Ashtu si rusi Diskin, Tadic i përmbahet pikëpamjes se dhënia e pavarësisë Kosovës do të inkurajojë lëvizjet terroriste, duke shkaktuar valë të pretendimeve destabilizuese të grupeve kombëtare në vendet e tjera të rajonit si, në Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë. 14 Për kryeministrin serb Voisllav Koshtunica, pavarësia e Kosovës do të krijojë precedent, duke bërë që kërkesa të ngjashme të ngrihen edhe diku gjetkë. Sipas tij zgjidhja e problemit të minoriteteve nëpërmjet vetëvendosjes (veçanërisht në rastin e minoriteteve kombëtare, të cilat kanë, gjithashtu, vendet e tyre amë shumë pranë) të çon pashmangshmërisht në ndryshimin e kufijve dhe në të gjitha komplikimet e rrezikshme që ky ndryshim mbart me vete.15 Ndërsa Kryetarja e Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën dhe Metohinë, Sanda Rashkovic-Ivic, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, më 13.09.06 do të paralajmëronte; ” një zgjidhje e nxituar nuk do të ishte thjesht zgjidhje, por edhe një precedent që do të hapte “kutinë e Pandorës”, e cila në asnjë mënyrë nuk duhet hapur. Vërtet është e vështirë të besohet që dikush ka dëshirë të marrë përsipër përgjegjësinë e hapjes së saj…”16

Por ai që më me zell do ta mbante në qafë kumonën e “precedentit Kosovë” për ta tundur natën e ditën, do të ishte Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkovic. Me një patetizëm për tu patur zili, ai filloi të deklamojë sa në një kryeqytet, në tjetrin që, nëse Kosova bëhet e pavaruar, ajo do të kthehet në një “vatër zjarri të rrezikshëm” që do të shkaktojë ” tërmet politik” në vendet fqinje, si dhe në shumë rajone të tjera të botës, në veçanti në territoret e ish republikave sovjetike. 17 Sipas tij, “precedenti Kosovë” do të “shkrinte” jo më pak se 30 konflikte ‘të ngrira’.18 Në kryeqytetet e qendrave vendimmarrëse, monologun e “precedentit” ai e përshtaste dhe e pasuronte me improvizime, sipas rastit, në Pekin për rrezikun që paraqiste lidhur me Tibetin, në Moskë, për Çeçeninë dhe konfliktet e ngrira në hapsirën postsovjetike, për të përfunduar në Nju Jork me apokalipsin e tërë sistemit të rendit të sotëm ndërkombëtar.

Teza e “precedentit Kosovë” pati jehonë të gjerë sidomos, në të ashtuquajturat “konflikte të ngrira” apo ” konflikte të zgjatura” në hapsirën postsovjetike. Pëfaqësuesit më të lartë zyrtarë të këtyre shteteve, de facto të pavarura, por pa njohje ndërkombëtare, të kapluar nga ethet e deklaratave, nëpërmjet të cilave ata shpresonin të tërhiqnin vëmendjen e qendrave vendimmarrëse u bashkuan në një pikë: ” Nëse atyre u lejohet, neve pse jo?”

Kryeministri i Abhazisë, Aleksandër Ankuab, tezën e ” precedentit Kosovë ” e vlerësoi si objektive dhe që u jep shumë shpresë abhazëve.20 Ndërsa Ministri i tij i Jashtëm, Sergej Shamba deklaroi se ” Abhazia ka më shumë argumente për pavarësinë se Kosova. Ajo ka 13 vjet që ekziston si shtet i pavarur”.21 Kryetari i Parlamentit të Transdnistrias, Evgeni Shevcuk, u shpreh se ” situata në Kosovë nuk mund të jetë unike. Rasti i saj duhet të bëhet algoritëm për zgjidhjen e konflikteve të tjera, duke përfshirë Transdnistrian”, sepse, sipas tij, qytetarët e saj e kanë të drejtën e njohjes së vendit të tyre si shtet, ashtu siç e kanë qytetarët e Kosovës.22

Reagim diametralisht të kundërt shfaqën vendet, të cilave u përkasin de jure republikat separatiste. Presidenti i Gjeorgjisë, Mikail Saakashvili u shpreh se ” çdo aluzion për ndonjë precedent në Abhazi apo në Osetinë e Jugut është i papërshtatshëm dhe i pa mend.”23 Presidenti i Moldavisë, Vladimir Voronin, e përjashtoi mundësinë e ndikimit të ” precedentit Kosovë” në vendin e tij: ” Pëvoja e rregullimit të konfliktit në Kosovë nuk mund të zbatohet në zgjidhjen e problemit të Transdnistrias. Konfliktet e Kosovës dhe Transdnistrias dallohen rrënjësisht dhe metodat e zgjidhjes së tyre duhet të jenë adekuate. Nuk mund të përdoren të njëjtat metoda për probleme të ndryshme, duhet nisur nga situata konkrete që ekziston në këtë apo atë rajon”.24 Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, gjithashtu, deklaroi se është kundër unifikimit të praktikave për rregullimin e konflikteve që ndryshojnë nga njëri-tjetri.25 Të tri këto vende bënë deklarata zyrtare edhe në emër të GUAM*, në të cilat, jo vetëm që hidhet poshtë argumenti i ” precedentit Kosovë”, por edhe vlerësohen si spekulime përpjekjet për ta përdorur atë politikisht.

*organizatë ku bëjnë pjesë Gjeorgjia, Ukraina, Azerbajxhani dhe Moldavia, me orientim perëndimor.

Në debat, si në një vorbull, u përfshinë shtete, organizma dhe organizata

ndërkombëtare, të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me konfliktin e Kosovës, apo konflikte të tjera si dhe një armatë e tërë politikanësh, diplomatësh, studiues të së drejtës ndërkombëtare, opinionistë etj.

I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisaari e karakterizoi Kosovën ” si një rast sugeneris, një rast i veçantë, që ka një histori të vetën” dhe se “diskutimet rreth precedentit janë më shumë politikë se diçka tjetër”. 26

Të njëjtin koncept mbrojti Zëvendëssekretari i Shtetit, Nikola Berns, i cili, në një intervsitë të tij, në BBC, më 03.07.2006, u shpreh se ” është krejtësisht kundër idesë që zgjidhja e çështjes së Kosovës do të krijojë një precedent apo model për zgjidhjen e problemeve të veçanta kudo që të jetë. Kosova është rast unik.27 Duke zhvilluar më tej këtë ide, Zëvendësasitentja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rozmari Di Carlo, vë në dukje se Kosova është rast unik, sepse paraqet pasojën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe se Bashkësia Ndërkombëtare, mbi bazën e Rezolutës 1244, ka miratuar masat për stabilizimin e gjendjes, gjë që nuk ka ndodhur me konfliktet e tjera. 28

Qëndrim të ngjashëm kanë mbajtur edhe përfaqësuesit zyrtarë të Anglisë, Francës dhe Gjermanisë në Grupin e Kontaktit. 29 Edhe Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ema Advin, vlerësoi se “nuk mund të ketë krahasime ndërmjet Kosovës dhe rajoneve të tjera, përfshirë dhe Kaukazin Jugor. Çështja e Kosovës është një rast i veçantë”. 30 Ndërsa kryesuesi i rradhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Karl de Gucht, i cilësoi si artificiale paralelizmat midis Kosovës dhe ” konflikteve të ngrira”. 31

Vetë Prishtina zyrtare në të gjitha prononcimet e saj ka argumentuar karakterin unik të rastit të Kosovës dhe ka hedhur poshtë pretendimet se modeli i zgjidhjes se ketij problemi do te kete ndkimi negative ne Rajon apo me gjerë. Përkundrazi, sipas Prishtines nese flitet per ndikim, ai do te jete krejtesisht pozitiv, sepse do te qetesoje si Kosoven, ashtu edhe fqinjet e saj. Midis fqinjeve, spikat qendrimi i Shqiperise.

Presidenti Shqiptar, Alfred Moisiu, e cilësoi ” si të pasaktë dhe të padrejtë mendimin e shprehur se pavarësia e Kosovës do të hapte derën për të zbatuar zgjidhje analoge për probleme që sot ekzistojne në vende dhe rajone të ndryshme”. 32

Edhe Maqedonia dhe Mali i Zi, përgjithësisht, i përmbahen pikëpamjes së unikalitetit të rastit të Kosovës. Por jo të gjithë fqinjët janë në këtë linjë. Nëse Bosnje-Hercegovina ka rezerva e dyshime lidhur me ndikimin e “precedentit Kosove”, Sofja zyrtare flet për “efektin dominant” të tij. Sipas presidentit bullgar, G.Pervanov, pavarësia e Kosovës do të shkaktonte procese disintegruese në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje –Hercegovinë, dhe Maqedoni. 33

Midis studiuesve, tërheq vëmendjen vlerësimi i njërit prej njohësve më kompetentë të Ballkanit, në përgjithësi dhe të Kosovës, në veçanti, Noel Malkolm, sipas të cilit, për disa politikanë krijimi i një precedenti është kthyer në “precedentomani”. Duke bërë një analizë krahasuese të Kosovës me rastet e tjera në Ballkan apo në Europë, ai konkludoi “që Kosova është një rast shumë special dhe shumë larg krijimit të një precedenti.”34 Analisti tjetër i njohur, Janusz Bugajski, konsideron se ” çdo rast është unik dhe nuk ka ndonjë formulë uniformuese për shkëputje apo pavarësi. Çdo gjë ka të bëjë me kontekstin historik dhe politik, natyrën e përfshirjes ndërkombëtare dhe mekanizmat e vendimmarrjes.” 35

Pikëpamje krejtësisht të kundërt me dy të parët mbron analisti Aleksander Mitic, i cili në shkrimin “Pro-të dhe kundërshtitë e dilemës Kosovare”, impaktit e “precedentit Kosovar” shtrim në të gjitha lëvizjet separatiste, përfshirë krahinën Baske, Korsikën, Tibetin, Tajvanin, Kurdistanin, Skocinë, Kebekun, Qipron Veriore, Kashmirin dhe Tajlandën e Jugut. 36

Rasti i Kosovës ravijëzoi kështu dy koncepte krejtësisht të kundërta: koncepi i precedentit, i përfaqësuar dhe i mbrojtur, kryesisht, nga Serbia dhe Rusia dhe ai i unikalitetit, i përfaqësuar dhe i mbrojtur, kryesisht nga faktori perëndimor. Mbështetësit e konceptit të parë, formalisht i referohen teorisë të së drejtës ndërkombëtare dhe, mbi këtë bazë të “justifikuar” ligjore, përpiqen të argumentojnë se vetëm alkimia e normave dhe parimeve të kësaj të drejte është e aftë të japë zgjidhjen e duhur dhe afatgjatë për statusin e Kosovës, çka, do të përbënte “çelësin universal” 36 për zgjidhjen e të gjitha konflikteve, sado të ndryshme qofshin ato. I sajuar në këtë mënyrë, “precedenti Kosovë” do të shërbente si një formulë çudi bërëse, e cila, e shumëfishuar në një fotokopje mund të shpërndahet për t’u zbatuar në të gjitha pikat e nxehta. Në të kundërt, pra nëse nuk zbatohen parimet dhe normat ndërkombëtare, sipas tyre, ky precedent do të kthehej në një “bombë me sahat”, e aftë për të shpërthyer në çdo moment dhe në çdo cep të globit. Po tu referohemi dukurive që na ka ofruar natyra, vitet e fundit, paralelet e përfytyrimit të apologjetëve të “precedentit” i gjejmë te cunami, me qendrën e tij në Kosovë, dallgët dhe duhama e të cilit prekin Ballkanin, Europën dhe të gjithë globin.

Mbështetësit e konceptit të unikalitetit e kategorizojnë rastin e Kosovës si “sui generis”, i ndryshëm nga të tjerët, me karakteristika të dallueshme, unike, të papërsëritshme e të pangjashme me konflikte të tjera. Si i tillë, sipas tyre, ai kërkon edhe zgjidhje specifike, të ndryshme nga rastet e tjera, një zgjidhje unike. Duke qenë zgjidhje unike për një rast të vetëm dhe unik, siç është Kosova, ata argumentojnë se nuk ka gjasa reale që të flitet për ndikim të saj në konfliktet e tjera, aq më pak për krijimin e një precedenti, modeli apo formule universale, që do të përdorej si hajmali për qetësimin e të gjitha konflikteve.

Shfaqja e këtyre dy koncepteve të kundërta dhe përplasja e tyre gjatë gjithë procesit të statusit të Kosovës e ndërlikoi edhe më shumë gjetjen e një zgjidhje të shpejtë e të pranueshme nga palët e interesuara. Një dilemë e re iu shtua sfidës së vjetër, thuajse shekullore, edhe ashtu të komplikuar, të Kosovës. Zgjidhja e kësaj dileme paraqet interes teorik, por më shumë praktik.

Vijmë kështu tek pyetja, përgjigja e se cilës synohet të jepet në këtë studim: Në anën e kujt qëndron e vërteta, a është Kosova një rast i veçantë, apo si gjithë të tjerët. Dhe lidhur me këtë, a duhet që për rastin e Kosovës të gjendet një zgjidhje e veçantë, unike, e vlefshme vetëm për rastin e saj, apo një zgjidhje me atribute universale, një paradigmë për zgjidhjen e të gjitha konflikteve. Thënë shkurt, si duhet konsideruar rasti i Kosovës, universal apo sui generis? Për ti dhënë përgjigje pyetjes së shtruar është e nevojshme që rasti i saj të analizohet në raport me konfliktet e tjera, kryesisht ato, me të cilat, supozohet se ka ngjashmëri më shumë. Vështirë të gjenden ngjashmëri midis Kosovës, nga njëra anë dhe Korsikës, Qipros apo Kebekut, nga ana tjetër. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për konfliktet e Kosovës dhe ato të hapsirës postsovjetike si në Transdnistria, Nagorni Karabah, Oseti e Jugut, Abhazi që erdhën si pasojë e shpërbërjes së dy federatave shumëkombëshe socialiste, Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Ngjashmëritë eventuale mbartin me vete edhe rrezikun e ndikimit të modelit të njëri-tjetrit. Analiza krahasuese e rastit të Kosovës me ato “të konflikteve të ngrira” merr në konsideratë edhe faktin që reagimet më të shumta dhe retorika më e nxehtë për mundësitë e ndikimit të “precedentit Kosovë” kanë ardhur kryesisht nga kjo hapsirë. Por, para se të kalohet në analizën krahasuese të tyre, është e nevojshme që të ndalemi, shkurtimisht, në planin retrospektiv, në natyrën e formacioneve shtetërore shumëkombëshe, pjesë përbërëse të të cilave kanë qenë Kosova dhe republikat separatiste të hapsirës postsovjetike.

Simetritë dhe asimetritë e federatave shumëkombëshe socialiste. Rasti i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, dhe i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Udhëtimi retrospektiv për të arritur tek përgjigja e pyetjes sonë na çon në vitet, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur pushuan së ekzistuari Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe Republika Socialiste e Federatës Jugosllave (RSFJ). Të dy këto formacione janë njohur si shtete socialiste, Bashkimi Sovjetik me një histori të tillë, rreth 70 vjeçare, ndërsa Jugosllavia, rreth 45 vjeçare, të dy me një sistem të bazuar në ideologjinë marksiste dhe në një aparat të fuqishëm të sigurimit, respektivisht KGB dhe UDB. Si të tilla të dy këto federata kanë qenë shtete diktatoriale, totalitare, gjë që duket qartë në kultin e Stalinit dhe udhëheqësve të tjerë sovjetikë, si dhe në kultin e Titos në Jugosllavi. Në aspektin ekonomik, ngjashmëritë kanë qenë evidente, sidomos lidhur me ndikimin e qendrës në planet e zhvillimet apo shtetëzimet arbitrare si dhe industrializimin e sforcuar. Megjithatë pas vitit 1948 u vune re edhe dallime. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, në Jugosllavi nuk u krye kolektivizimi i plotë, u ruajt, në një farë mase, prona private dhe tregu, pjesërisht, mbeti i hapur për mallrat perëndimore. ı Të dy kanë qenë shtete federative dhe federalizmi i tyre ka njohur nivelin republikan, krahinor dhe rajonal², me format përkatëse të organizimit: republikë, krahinë autonome dhe rajon autonom. Kufijtë administrativë të subjekteve federative në të dy vendet janë vendosur në mënyrë arbitrare, nisur nga postulatet leniste e staliniste të politikës nacionale.³

Analistë të ndryshëm, vënë në dukje që të dy federatat kanë të përbashkët edhe faktin që, në secilën prej tyre, dallohet kombi lider që ka treguar interes dhe ka kontribuar, jo vetëm për themelimin, por edhe zhvillimin e mbrojtjen e supershtetit të vet. Deputeti i njohur rus, Sergej Baburin, shkon deri atje sa të pohojë që ” serbët dhe rusët sakrifikiuan shtetin kombëtar për hir të lulëzimit të një shteti më të fuqishem.” Analistë të tjerë, vënë në dukje se, më afër së vërtetës është argumenti, sipas të cilit, rusët dhe serbët, për hir të aspiratave të tyre shtetomëdha, shtypen si në mokër interesat kombëtare të popujve jorusë dhe joserbë.

Tipar tjetër i përbashkët është kriteri mbi bazën e të cilit u bë emërtimi i republikave të federuara në të dy shtetet. Në rrënjën e emrit të çdo republike qëndronte “përkatësia kombëtare”. Në Bashkimin Sovjetik emërtimi i të gjitha republikave (gjithësej 15) i është përmbajtur këtij kriteri. Territori i populluar nga armenët quhej Republika Socialiste Sovjetike e Armenisë, ai i populluar nga bjellorusët Republika Socialiste Sovjetike e Bjellorusisë, e kështu me rradhë, Republika Socialiste Sovjetike e Azerbajxhanit, Republika Socialiste Sovjetike e Lituanisë etj. Edhe emërtimet e republikave, rajoneve apo qarqeve autonome në Bashkimin Sovjetik niseshin nga i njëjti kriter. Kështu njihej Republika Autonome e Tatarstanit, e Cecenisë, në Rusi, rajoni autonom i Osetisë së Jugut, në Gjeorgji etj. Përjashtim bënte vetëm Azerbajxhani, 6 ku ekzistonte Republika Socialiste Sovjetike Autonome Naichevan dhe Krahina Autonome Nargorni Karabah, emërtimet e të cilave nuk thonë asgjë për përkatësinë kombëtare të banorëve që jetojnë aty, sepse nocione të tilla etnike si, naichevanas ose karabahas nuk ekzistojnë. Të njëjtin përjashtim do ta gjejmë edhe në Jugosllavi. Ndërsa të gjashtë republikat e federuara, ashtu si në Bashkimin Sovjetik, kanë në bazë të emërtimit të tyre zyrtar përkatësinë kombëtare të popullit shumicë, si Republika e Kroacisë-territori i populluar nga kroatët, Republika e Serbisë apo e Sllovenisë, të populluara, përkatësisht nga serbët dhe sllovenët dhe, kështu me rradhë, ky kriter nuk gjen zbatim në emërtimin e dy krahinave autonome në përbërje të Federatës Jugosllave. Emërtimi Kosovë e Metohi nuk thotë asgjë për përkatësinë kombëtare të atyre që popullojnë krahinën. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe nuk ekziston as sot ndonjë term i tillë etknik si kosovo-metohias. Emërtimi Kosovë- Metohi është më shumë një emërtim politik, i lidhur me historinë apo me mitet historike, por jo edhe me njerëzit që banojnë aty. Emërtimi Krahina Autonome e Vojvodinës, gjithashtu nuk merr në konsideratë përkatësinë kombëtare. Termi Vojvodinë nuk thotë asgjë për përkatësinë etnike të atyre që popullojnë krahinën. Nën çatinë e termit “vojvodinas” mund të gjendet serbi, hungarezi, apo ndonjë kombësi tjetër.

Nga pikëpamja etnike, të dy federatat kanë qenë mjaft heterogjene. Bashkimi Sovjetik ka qenë një konglomerat popujsh, me mbi 100 kombe e kombësi, me karakteristika të dallueshme gjuhësore, fetare, deri edhe racore. Veç besimit të krishterë, kryesisht ortodoks, por edhe të sekteve të tjera të krishtera, Bashkimi Sovjetik ishte dhe vendi i muslimanëve, budistëve, judaistëve, përfshirë edhe disa kombësi të vogla pagane në veri. Një strukturë të ngjashme ka edhe sot Rusia. Megjithëse, shumë herë më e vogël, edhe Federata Jugosllave ishte një konglomerat popujsh në llojin e vet, me shume gjuhë, kultura e besime të ndryshme. Duke përshkruar situatën e këtij vendi, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, ish zëvendëssekretari amerikan i shtetit Strobe Talbott, vë në dukje se” Jugosllavia përbëhet nga 6 republika, 5 kombësi, 4 gjuhë, 3 besime fetare, 2 alfabete dhe 1 Tito.” 9

Duke qenë shumëkombëshe, të dy federatat, që në momentin e krijimit dhe gjatë gjithë ekzistencës së tyre kanë patur si bashkëudhëtare të përhershme lëkundje sizmike të shkaktuara nga përplasjet e interesave kombëtare të popujve që i përbënin ato. Në çështjen nacionale, Bashkimi Sovjetik, herë pas here, zbatoi metoda tipike për sundimin kolonial. U zhvendosën popuj të tërë nga territoret e tyre etnike, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, me preteksin e bashkëpunimit me nazistët, siç ishte rasti me çeçenët, ngushet, ballkarët dhe popuj të tjerë të Kaukazit të Veriut. U ndryshua struktura etnike në republika të ndryshme si, në Letoni, Estoni, Abhazi etj, nëpërmjet zhvendosjeve të detyruara të popullsisë. U bënë ndryshime arbitrare të kufijve republikanë, pa marrë fare parasysh ndikimin e këtyre ndryshimeve mbi fatin e popujve. 10 Element të këtyre metodave tipike kolonianiste nuk ishin të panjohura as për Jugosllavinë socialiste, aq më tepër që kushtetuta e saj e vitit 1946, u bë nën ndikimin e kushtetutës së Bashkimit Sovjetik , të vitit 1936. 11 Koncepti dhe modeli Stalinist i zgjidhjes së çështjes kombëtare u zbatua, pa ndonje ndryshim thelbesor në teorinë dhe praktikën e shtetit jugosllav të pasluftës së dytë Botërore. Në këtë drejtim është kuptimplotë shembulli i shqiptarëve, populli i tretë në numër, pas serbëve dhe kroatëve. Beogradi u kujdes që territoret shqiptare ti shpërndajë në katër njësi federale, në tre republika ( Serbi, Maqedoni, Mal i Zi) dhe në Krahinën Autonome të Kosovë – Metohisë. Nga ana tjetër, si pasojë e terrorit sistematik të ushtruar nën pretekstin e mbledhjes së armëve, si dhe në kuadrin e marrëveshjes me Turqinë, në vitet ’50- ’60, u detyruan të largoheshin nga tokat e tyre për në Turqi me qindra e mijëra shqiptarë, ndërkohë që “në Kosovë u vendosën 50.000 serb e malazezë”. 12

Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia kanë pasur të përbashkëta edhe “përvojat e përçarjeve të përgjakshme shtetërore e civile”.13 Sovjetët përjetuan tmerret e luftës civile në vitet 1917- 1922, ndërsa sllavët e jugut në vitet 1941-1945.

Duke u nisur nga ngjashmëritë e këtyre formacioneve shumëkombëshe, studiues të ndryshëm argumentojnë se Jugosllavia nuk ishte gjë tjetër veç një “minimodel i Bashkimit Sovjetik”,14 për më tepër që vetë Jugosllavia aspironte rolin e modelit të vet, pra të një “Bashkimi Sovjetik të vogel në Ballkan” 15 Nga ky këndvështrim, sipas studiuesit rus, Pavel Kandel, nuk ishte e vështirë që të gjeje “Slloveninë” tënde në vendet e Balltikut, “Kroacinë” tënde në Ukrainë. Në Bjellorusi mund të gjeje lehtë Malin e Zi, në Azinë e Mesme dhe, sidomos në Kazakistan gjeje analogun e Bosnje-Hercegovinës, kurse në Kaukazin e Veriut dhe, sidomos në Ceçeni, gjeje analogji me Kosovën. 16 Këto dy të fundit, Kosova dhe Ceçenia konsideroheshin si “fryte të së njëjtës peme”. 17

E pakta që mund të thuhet për analogjinë e mikro dhe makromodelet është se, si tezë, është shumë e diskutueshme dhe jep shkas për spekulime, siç ndodh edhe me studiuesin rus të gjeopolitikës, Aleksandër Dugin, i cili analogjisë së mësipërme i jep ngjyrim fetar deri edhe racist, duke u përpjekur të argumentojë që Serbët përfaqësojnë në Ballkan Rusinë ortodokse, dhe se, nëpërmjet faktorit etnik dhe fetar, Serbia s’është gjë tjetër, veçse vazhdim gjoepolitik i Rusisë në jug të Europës. Ndërkohë që Shqiptarët muslimanë dhe boshnjakët i konsideron si mbeturina të Perandorisë Osmane. 18

Nuk janë të paktë studiuesit që ngjashmëritë midis këtyre dy vendeve i gjejnë tek proceset paralele të shpërbërjes së tyre. Kriza ekonomike që i mbërtheu ato në vitet ’70, u thellua dhe u ndërthur me krizën e thellë të marrëdhënieve nacionale, me krizën e gjithanshme politike dhe shoqërore, të gjitha këto në bashkëveprim edhe me faktorë të tjerë gërryes gjeoplotikë, çuan në shembjen thuajse në të njëjtën kohë të ngrehinave të tyre . Në përgjithësi, si shkaqet e shpërbërjes ashtu dhe dinamika e krizës përkojne shumë. 19 Ashtu siç përkojnë metodat për të penguar procesin e shpërbërjes, të cilat, në thelb, në të dy vendet ishin të bazuara në forcë dhe dhunë. Moska tentoi që të pengojë valën në rritje të sovranizimit të republikave dhe ti mbajë ato me forcë, të lidhura pas vetes. Njësitë e ushtrisë dhe forcave speciale të Ministrisë së Brendshme në mënyrë periodike, u dërguan në kryeqytet e republikave rebele, në Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Letoni, Lituani, Kazakistan dhe Taxhikistan. 20 Të pakënaqur me qëndrimin “e butë” të Gorbacovit ndaj tendencave separatiste, të pakënaqur me frymën liberale të perestrojkes, forcat radikale komuniste, në gusht të vitit 1991, u orvatën qe të marrin nën kontroll zhvillimin e ngjarjeve dhe të rikthejnë në vend situatën që ekzistone para ardhjes së Gorbacovit në pushtet. Forcat demokratike ruse e vlerësuan orvatjen e tyre si puç dhe e shkatërruan atë, 21 duke shpëtuar vendin nga jugosllavizimi, gjë që do te ishte me pasoja tepër të rënda, jo vetëm për fatet e popujve të Bashkimit Sovjetik, por të mbarë njerëzimit. Ndër mbështetësit e pakët të puçistëve rezultoi të jetë lideri serb, Sllobodan Milloshevic i cili llogariste tek puçistët një aleat të sigurtë për realizimin e aspiratave të veta shtetomëdha. Atë që, për fatin e mirë, nuk arritën ta bëjnë puçistët në Bashkimin Sovjetik, për fat të keq, e realizoi Milloshevici, në Jugosllavi. Duke shfrytëzuar arsenalin e fuqishëm të ushtrisë jugosllave, ai ndërrmori, njëra pas tjetrës, katër luftra të përgjakshme, fillimisht kundër republikave simotra rebele dhe, me vonë, kundër autonomisë së shqiptarëve të Kosovës.

Ngjashmëritë nuk mungojnë as në pasojat që rrodhën nga shpërbërja e dy federatave shumëkombëshe. Pjesë të rendësishme të kombit rus dhe atij serb mbetën jashtë shteteve të tyre amë. Papritmas, nga pjestarë të “kombit të madh”, “të etnosit dominues”, ata u gjendën në pozitën e pakicës kombëtare, jo më dominues apo të rendësishëm si më parë. Një dukuri e tillë ndodhi me rusët në Ukrainë, në republikat balltike, apo në Kazakistan. E njëjta gjë ndodhi me serbët në Kroaci, në Bosnje –Hercegovinë apo në Kosovë. Ndërkaq disa pakica të mëparëshme papritmas u gjenden në pozitën e shumicës. Në të dy rastet, si nga rusët, ashtu edhe nga serbët, ky ndërrim rolesh nuk u kapërdi lehtë, përkundrazi u përjetua me tension, i cili, sidomos në Jugosllavi, për fat të keq nuk u arrit të mbahej nën kontroll. Nga forcat ultranacionaliste në pushtet, të grumbulluara rreth Sllobodan Milloshevicit ky tension u manipulua, herë duke aktivizuar tendencat separatiste në shtetet e reja të sapokrijuara, herë duke ndërmarrë vetë luftra agresive, në funksion të ëndrrës së vjetër për krijimin e Serbisë së Madhe, e cila kishte për mision që të bashkonte në një shtet të gjithë serbët, sëbashku me territoret ku ata banonin. Pasojë e këtij manipulimi dhe instrumentalizmi të tensionit shoqëror, nga ana e shtetit serb, ishte rikthimi i skenarëve të dhunës dhe vrasjeve masive, të spastrimit etnik dhe genocidit, dukuri me të cilat Europa nuk ishte ballafaquar që nga Lufta e Dytë Botërore. Me forcën e topave dhe të tankeve u tentua të mbytej e drejta për vetvendosje e popujve të Jugosllavisë, përfshirë të drejtën e shkëputjes, e sanksionuar në kushtetutën e vitit 1974. Kur kjo tentativë dështoi dhe u bë e qartë se Beogradi nuk mund të ndalonte pavarësimin e ish republikave jugosllave u kalua në krijimin e subjekteve të reja, jashtë substratit kushtetues republikan dhe auotonom siç ishin Republika Serbe e Krainës dhe, më vonë, Republika Serbe e Bosnjes. Agresioni i hapur ndaj Republikave simotra, Kroaci, Slloveni, Bosnje- Hercegovinë, si dhe krijimi i subjekteve të reja shtetërore, të panjohura kurrë më parë, përbëninin dhe shkeljen më të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare mbi paprekshmërinë e kufijve dhe tërësinë territoriale, një ndër shfaqjet më brutale të nëpërkëmbjes të Kartës së OKB-së dhe Aktit të Helsinkit, të cilave, kaq dendur u referohet Beogradi në tjerrjet e veta teorike kundër pavarësisë së Kosovës. Zgjedhja e Beogradit për të përdorur forcën dhe dhunën si mjete kryesore, shpesh herë, të vetme, në funksion të qëllimeve politike bëri që, në raportet ngjashmëri- dallime, gjatë procesit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, rëndesa të anojë nga këto të fundit, gjë që përcaktoi edhe vektorët e ndryshëm të lëvizjes së Rusisë dhe Serbisë në vitet ’90.

Rusia ishte një ndër faktorët më aktivë për përmbysjen e perandorisë shumëkombëshe sovjetike. Rreth një vit e gjysëm para se ajo të shpërbëhej, Parlamenti Rus, më 12.06.1990, miratoi, “Deklaratën mbi Sovranitetin”. Duke ju kundërvënë grushtit të shtetit të forcave të vjetra radikale, në gusht të vitit 1991, pas shkatërrimit të tij, Rusia u bashkua me popujt jo rusë të ishrepublikave sovjetike për realizimin e të drejtës së vetvendosjes, e drejtë kjo e fiksuar në kushtetutën e BRSS. Në këtë kuadër, ajo fillimisht njohu deklaratat mbi sovranitetin dhe, më vonë, bëri edhe njohjen zyrtare të shteteve të reja që u krijuan si rrjedhojë e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Pretendimet e Kremlinit për territore si, Kazakistani i Veriut, Krimeja, Odesa etj, u kufizuan në deklaratat e zëdhënësit të shtypit të presidentit të Rusisë, P. Voshçanov apo të Kryetarit të Bashkisë së Moskës, G.Popov. 22 Në përgjithësi, Rusia nuk vuri në dyshim tërësinë territoriale të republikave simotra, duke respektuar kufijtë ekzistues, të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Në hapsirën postsovjetike, në vend të supershtetit të mëparshëm, u krijua bashkësia e shteteve të pavarura, një strukturë amorfe, që, megjithatë mundësoi vazhdminin e komunikimit dhe lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave midis ish repubulikave sovjetike, duke siguruar një ndarje graduale, deri diku, të butë me qendrën e mëparshme. Shpërbërja, relativisht paqësore e gjigandit sovjetik bëri që bota të marrë frymë e lehtësuar. Seç pasoja makabre do të kishte përsëritja e skenarit jugosllav në hapsirën postsovjetike, jo vetëm për paqen e sigurinë europiane, por edhe atë planetare, mjafton të kujtojmë se, veç Rusisë, edhe Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani zotëronin një arsenal të fuqishëm bërthamor, të trashëguar nga supershteti sovjetik. Vetëm Ukraina kishte shumë më tepër armë bërthamore, sesa Franca dhe Anglia, të marra sëbashku. 23

Shteti rus i sapodalë nga gërmadhat e perandorisë sovjetike, ndryshe nga Serbia në përgjithësi u bëri ballë tundimeve “për të mbledhur të gjithë rusët në një shtet”, gjë që i mundësoi Moskës të ruhej nga shumë përplasje të përgjakshme, të ngjashme me ato të tragjedisë Jugosllave. Megjithatë as ajo nuk mundi të evitojë gjakderdhjen. Qëndrimi i Moskës ndaj autonomive të veta rezultoi të ishte kontradiktor. Nga njëra anë, ajo mbajti një qëndrim fleksibël, sidomos në periudhën 1990- 1991, kur të gjitha republikat autonome të Rusisë u deklaruan si shtete sovrane, duke hequr fjalën “autonome”, ndërkohë që të gjithë rajonet autonome, me përjashtim të atij çifut, u vetshpallën republika. 24 Me kushtetutën e miratuar, më 12.12.1993, si dhe me nënshkrimin e traktateve të veçanta siç ishte ai me Tatarstanin, mbi delegimin e ndërsjellë të kompetencave (15.02.1994), Moska krijoi bazën e nevojshme ligjore për rregullimin e marrëdhënieve me autonomitë e veta, në periudhën postsovjetike. Si rregull, traktatet e veçanta u dhanë subjekteve federale të drejta më të mëdha, sesa ato që sanksiononte kushtetuta. Këto të drejta, në mënyrë të veçantë, kishin të bënin me shpërndarjen e të ardhurave dhe me fleksibilitetin më të madh për të hyrë në marrëdhënie me jashtë. Por në raportet me Çeçeninë, qeveria ruse ju rikthye përvojës së dikurshme sovjetike në zgjidhjen e çështjes nacionale. Në vend të zgjidhjes së problemit çeçen me bisedime, Moska preferoi përdorimin e forcës ushtarake. Zgjidhja nëpërmjet luftës i kushtoi, jo pak, Kremlinit politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht. Vërtet në Grozni, u vendos një qeveri proruse , por si në të gjitha rastet e zgjidhjeve të dhunshme, nuk ka asnjë garanci që ajo të jetë e qëndrueshme.

Serbia që në fillim ndoqi rrugën e dhunës, si në raport me Republikat, ashtu edhe me krahinat autonome. Sulmin e parë, në fund të viteve ’80 Beogradi e drejtoi kundër autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës, me synim eleminimin e saj, gjë që edhe e realizoi në vitet 1989- 1990. Duke e identifikuar veten me Qendrën Federale, 25 etnokracia serbe, ndryshe nga Rusia nuk kërkoi aleat midis republikave simotra për shkatërrimin e kësaj qendre përkundrazi, e mbrojti dhe e shfrytëzoi atë maksimalisht në shërbim të interesave të veta hegjemoniste. Kur u bë e qartë se, megjithatë, ruajtja e federatës së mëparëshme ishte e pamundur, Serbia vendosi të rishikojë në mënyrë radikale kufijtë e ish republikave jugosllave, 26 për të rikthyer kufijtë e vet “historikë” për të rifituar atë ” çfarë kishte humbur në paqe”, e udhëhequr nga koncepte e përfytyrime që i përkisnin më shumë shekullit të 19-të, se atij të 20. Duke ju referuar përdorimit të forcave të ushtrisë jugosllave kundër republikave të tjera, ish Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Andrej Kozirjev, shkruan se kjo do të ishte njëlloj sikur Rusia të përdorte forcat e armatosura të Bashkimit Sovjetik kundër Bjellorusisë, si përgjigje ndaj aspiratave të saj për të fituar pavarësinë dhe sovranitetin e vet shtetëror. 27 Në vend që të nxirrte mësime nga dështimet në tre luftëra të njëpasnjëshme kundër Sllovenisë, Kroacisë, dhe Bosnje-Hercegovinës, Serbia, me makinën e vet luftarake, në pranverën e vitit 1999, ju turr Kosovës, duke kryer një spastrim etnik të përmasave të tilla që të kujton holokaustin, me të vetmin ndryshim që, në vend të çifutëve këtë rradhë, viktima ishin shqiptarët. Për të parandaluar karastrofën humanitare dhe destabilizimin e mëtejshëm të situatës në rajon, gjë që mund të sillte implikime për paqen e sigurinë edhe tej Ballkanit, komuniteti ndërkombëtar ndërhyri ushtarakisht, duke i detyruar forcat ushtarako-policore serbe të tërhiqen nga Kosova. Mbi bazën e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit nr 1244 dhe Marrëveshjes së Kumanovës, dt 09.06.1999 de facto, Serbisë ju hoq sovraniteti mbi Kosovën dhe, që nga qershori i atij viti, territori i saj u vu në administrimin e OKB-së, duke u kthyer në një protektorat ndërkombëtar. Ky është dallimi tjetër i madh midis zhvilimeve në hapsirën postsovjetike dhe atyre të hapsirës postjugosllave, dallim që ka të bëjë jo me element dosido, apo thjesht me formën, por me thelbin e këtyre zhvillimeve. Dhe së fundi, por jo me më pak rëndësi : ndërsa shpërbërja e Bashkimit Sovjetik filloi dhe mbaroi në kapërcyellin e viteve ’80-’90, procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë nuk u mjaftua me dekadën e fundit të shekullit të 20, por vazhdoi edhe në shekullin e 21-të. Pavarsimi i Malit të Zi, më 21.05.2006 ështe dëshmia më e freskët e vazhdimit të këtij procesi. Kosova, sipas të gjitha gjasave, do të jetë akti i fundit që do të përmbyll një proces të nisur para 17 vjetësh, një proces që u shoqërua me tronditje dhe tragjedi, por që, me mbylljen e plagës kosovare, jep shpresë që, më së fundi, në Kosovë, në Serbi dhe në Ballkan do të ketë paqe, siguri dhe stabilitet. Njohja me simetritë dhe asimetritë e ish Federatave shumëkombëshe socialiste të BRSS dhe RSFJ krijon mundësinë e kuptimit më të drejtë të zhvillimeve komplekse të hapsirave postsovjetike dhe postjugosllave, në mënyrë të veçantë, të lindjes dhe zhvillimit të konflikteve, elementët e përbashkët dhe specifikat e tyre, gjithnjë në funksion të pyetjes themelore që pret përgjigje nga ky studim: Çfarë përfaqëson Kosova, një rast universal apo sui generis? Veç udhëtimit në kohë është i nevojshëm edhe një udhëtim në hapsirat postsovjetike. Rruga që të çon tek përgjigja e pyetjes sonë kalon nëpër rajonet e Trandnistrias, Abhazise, Osetisë së Jugut dhe Nagorni Karabah, për të përfunduar sërish në Kosovë.

Konfliktet e ngrira në hapësirën postsovietike

Rasti i Transdnistrias

Transdnistria de jure ndodhet në Republikën e Moldavisë, de fakto, që nga viti 1990, e pavarur, por pa njohje ndërkombetare. Ka një sipërfaqe prej 4163 km2 dhe një popullsi prej 555.347 banorë (2004). Kryeqytet i vendit eshte Tiraspol. Tre janë grupet kryesore etnike që popullojnë Transdnistrian: moldavët përbëjnë 31.9 %, rusët 30.4 % dhe ukrainasit 28.8%. Në krahasim me regjistrimin e vitit 1989 ka një rënie prej 8 % të popullsise moldave, ndërkohë që ajo ruse është rritur me 5 %(1). Nuk ka një përputhje të plote territoriale midis asaj që është njohur si rajoni i Transdnistrias dhe asaj që përfaqëson sot republika e vetëshpallur. Disa fshatra të Dubasarit, që gjeografikisht i takojnë Transdnistrias janë nën kontrollin e Moldavisë, ndërsa qyteti Tighina dhe disa fshatra që gjeografikisht nuk i përkasin Transdnistrias nuk janë nën kontrollin e saj 2.

Ekonomia e vendit mbështetet në potencialet e ndërmarrjeve të trashëguara nga ish Bashkimi Sovjetik. Prodhon celik, tekstile, produkte ushqimore, etj. Partnerët kryesore tregtarë të saj janë: Rusia, Ukraina dhe Moldavia 3. Subvencionet e Rusisë janë vendimtare për ekzistencën e Transdnistrias. Importimi i gazit rus bëhet me tarifa lehtësuese. Kreditë nga Moska, gjithashtu, janë në kushte lehtësuese. Një pjesë e të ardhurave sigurohen nga kontrabanda e produkteve të naftës, pijeve alkolike, produkteve ushqimore dhe duhanit 4. Struktura legjistative dhe legjislacioni janë të ngjashme me modelin rus, ndërkohë që ruan ende disa simbole të ish Bashkimit Sovietik, si statujën e Leninit nëpër sheshet e qyteteve, draprin dhe cekanin në flamur, monedhën e vet e quan rubel, etj 5. Sa i takon aspektit historik, në vitin 1924, Transdnistria u përfshi në Republikën Autonome Socialiste të Moldavisë, e cila, përvec Transdnistrias, kishte në përbërjen e vet edhe pjesë të Ukrainës, por jo të Besarabisë. Në vitin 1940, me vendim të Sovietit Suprem, u krijua Republika Socialiste e Moldavisë, që Continua a leggere

Pubblicato in Senza categoria